Për ata që dëshirojnë të kalojnë në “BIM”, kam dy lajme. Një të mirë dhe një të keq.

Lajmi i mirë

Mjetet BIM, të tilla si Revit janë fenomenale për prodhimin e shpejtë dhe të lehtë të dokumentacionit cilësor. Nuk ka më vizatime të prerjeve tërthore apo fasadave, nuk ka më korrigjime të gabimeve në njëqind vende, nuk ka më vizatime shtesë të modeleve 3D, llogaritje manuale të sipërfaqeve dhe sasive. Unë do t’ia rekomandoja këtë të gjithë atyre që dëshirojnë të përmirësojnë punën e tyre të përditshme, të zvogëlojnë punën manuale, të automatizojnë disa detyra dhe t’i përkushtojnë më shumë kohë projektimit.

Lajmi i keq

Nuk ka të bëjë shumë me BIM-in. Fatkeqësisht, mund të adoptojmë dhe përdorim të gjitha të mësipërmet, por pa ndryshimin thelbësor e të menduarit, nuk do t’i afrohemi BIM-it. Përderisa përdorim po të njëjtat procese dhe punojmë në mënyrën e vjetër, jemi larg BIM-it. Nuk e kam fjalën për projekte të mëdha me shumë pjesëmarrës dhe shumë mjete. E kam fjalën për ndryshimin e  mendësisë. Ndryshimin e konceptit të punës. Lajmi i mirë në këtë të keqe është se kjo e fundit nuk kushton asgjë dhe nuk duhet të zgjasë shumë.

BIM është miratimi i një koncepti të ri, ndërsa jo i një mjeti të ri

Më e rëndësishmja më duket se duhet të pranojmë se mënyra në të cilën kemi punuar deri tani nuk është mënyra më e mirë e mundshme. Kurse ndryshimi më i madh nuk është në mjetin e ri, por në mënyrën e re të të menduarit. Thjesht duhet të miratojmë disa postulate të reja: të marrim vendime përpara dhe jo më vonë, të jemi të gatshëm për një proces transparent, t’i besojmë numrave dhe jo vetëm ndjenjave, ta dixhitalizojmë vërtetë procesin, të vendosim interesin e përbashkët përpara interesit personal, t’i bëjmë projektet të qarta dhe të mos fshihemi pas “evokimit të atmosferës”, të merremi më shumë me përmbajtjen sesa me përshtypjen dhe të mos justifikohemi me ndonjë nëpunës të paaftë, i cili nuk zotëron mënyra moderne të punës për të avancuar. Fatkeqësisht, edhe pse kjo mund të jetë pjesa më e lehtë sepse nuk ka nevojë për burime, por vetëm për vendime, këto janë gjërat të cilat na pengojnë më së shumti në progresin real. Edhe pse mund të fillojmë me këtë sot, për shumëkënd nuk mjaftojnë vitet për t’i sjellë këto ndryshime.

Por nuk ka frikë…

Sepse njëra nuk e përjashton tjetrën. Nëse jeni të kënaqur me krijimin e dokumentacionit cilësor në mënyrë të thjeshtë – vetëm vazhdoni – përmirësoni aftësitë tuaja me mjetet BIM dhe do të përmirësoni shumë punën tuaj.

Por nëse dëshironi të shfrytëzoni atë çfarë ju ofrohet sot për ta bërë rezultatin e projektit tuaj – objektin – sa më cilësor, efikas dhe me kosto efektive, implementoni proceset e BIM-it.

Domosdoshmëria e BIM-it

Do të doja të sqaroja diçka. Unë nuk e nxis BIM-in. Madje as nuk mendoj se BIM është për gjithsecilin. Ajo çfarë unë padyshim nxis është që të punojmë më mirë sesa më parë. Ajo “më mirë” do të jetë diçka tjetër për gjithsecilin. Për disa, përgjigja do të jetë vërtet BIM-i, për disa modelimi parametrik, për disa përdorimi i mjeteve BIM për ndonjë qëllim tjetër të rëndësishëm – llogaritjen e sasisë ose vizualizimin. E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është që të mos qëndrojmë në një vend. Kërkesat dhe mundësitë po ndryshojnë dhe nuk mund t’i injorojmë ato. Duhet të përmirësohemi nëse duam të qëndrojmë në treg. Tregu është vendi i cili do të na tregojë se çfarë duhet të implementojmë, ndërsa ne mund të vendosim vetë se çfarë tjetër duam të implementojmë për të qenë më efikas. BIM për disado të bëhet një detyrim, për disa një avantazh konkurrues, ndërsa për disa do të mbetet vetëm një dëshirë. Por përmirësimi i punës duhet të jetë qëllimi për të gjithë ne. Kurse BIM është vetëm një nën-mënyrë për ta arritur këtë. Por jo e vetmja.

nga Vedran Oreshiq