Në Hong Kong, një kompani inxhinierike e avancuar ka ndërtuar InnoCell – një kullë shumëkatëshe me përdorim të përzier – duke përdorur ndërtimin modular dhe BIM.

·  Hip Hing Engineering ka ndërtuar InnoCell, ndërtesën e parë të lartë në Hong Kong e cila ka përdorur ndërtimin e integruar modular (MiC).
·  MiC lejon hapat e ndërtimit të ndodhin paralelisht, me strukturat modulare të parafabrikuara jashtë vendit në të njëjtën kohë me punën në kantier.
·  Hip Hing ka përfunduar InnoCell gjashtë muaj përpara afatit dhe ka arritur 600,000 orë pune pa aksidente gjatë ndërtimit.

Rrokaqiejt e shndritshëm të Hong Kongut mbulojnë horizontin e famshëm të qytetit. Ndërtimi i këtyre kullave është një arritje e jashtëzakonshme dhe Hip Hing Engineering e ka çuar procesin në një nivel tjetër me InnoCell, një ndërtesë 17-katëshe që ofron hapësira jetese dhe bashkëpunimi për talentet e IT.

E vendosur në Parkun shkencor të qendrës së inovacionit në Hong Kong, InnoCell është ndërtesa e parë shumëkatëshe në Hong Kong, e cila përdor atë që qyteti e quan Ndërtimi i Integruar Modular (MiC). MiC (i njohur zakonisht si ndërtimi modular) është një metodë ku njësitë e ndërtimit – të kompletuara me përfundime, instalime, pajisje dhe mobilje – parafabrikohen jashtë vendndodhjes dhe më pas instalohen në vendndodhje.

Modelimi ndihmon në përmirësimin e afatit kohor të ndërtimit

Hip Hing ka përfunduar ndërtesën InnoCell në tetor të vitit 2020 pas vetëm 14 muajsh punë, duke e dorëzuar atë gjashtë muaj përpara afatit. Ky afat kohor ishte veçanërisht mbresëlënës duke pasur parasysh shkallën e projektit në mes të përçarjes së shkaktuar nga pandemia.

Kompania inxhinierike ia atribuon këtë sukses strategjisë së saj të përdorimit të BIM (Building Information Modeling) dhe MiC së bashku. „Nuk e shikojmë ndërtimin më si punë fizike, por si një industri të bazuar në teknologji, ku mund të përdorim BIM-in, inteligjencën artificiale, automatizimin dhe inovacionet siç është MiC për të thjeshtësuar proceset dhe për të përmirësuar cilësinë,“ thotë Michele Lui, menaxherja e projektit në Hip Hing.

Hip Hing ka përqafuar BIM-in në të gjitha fazat e ndërtimit: planifikimin, projektimin, punimet në terren dhe monitorimin. „BIM ka luajtur rolin vendimtar në projektin InnoCell,“ thotë Lui. „Ka shërbyer si një platformë për bashkëpunim ndërmjet ekipit tonë, furnitorëve, nënkontraktorëve dhe palëve të tjera të interesuara.

“ BIM po ashtu ka ndihmuar kompaninë të plotësonte nevojat e klientit dhe konsulentit, veçanërisht në kulmin e pandemisë. Hip Hing ka krijuar interpretime të modeleve dhe vizatime të fabrikimit në 3D për klientët dhe konsulentët për t’i parë nga distanca, duke shtuar shënime gjatë rrugës për t’i bërë ato më të lehtë për t’u kuptuar.

Pëveç kësaj, BIM është i integruar me teknologji të tilla si skanimi 3D duke përdorur drone për inspektim. Ekipi ka zbatuar periodikisht skanimin me dronëve dhe ka palosur ato të dhëna në BIM për të monitoruar përparimin e terren. Kjo gjë i ka mundësuar Hip Hing-ut të mprehë fokusin e tij dhe të optimizojë punën.

„Duke krahasuar të dhënat e pikës-cloud të kapura nga gjendja reale në terren me simulimet virtuale të ndërtimit 4D, kemi identifikuar zonat ku ekipi duhet të fokusohet“, thotë Billy Wong, kreu i BIM në Hip Hing. „Kemi zbuluar probleme në terren përmes BIM-it dhe kemi zgjidhur ato menjëherë. Gjithashtu, ishim në gjendje të planifikonim përpara dhe të gjenim pajisjet ose metodat më të mira për të përshpejtuar ndërtimin.“ 

InnoCell merr një qasje modulare ndaj ndërtimit

MiC ishte gjithashtu thelbësor për përfundimin e InnoCell përpara afatit. Wong e krahason MiC me prodhimin e automobilave, me linja të veçanta prodhimi të cilat prodhojnë pjesë paralelisht. Duke aplikuar këtë qasje në projektin InnoCell, ndërtimi në terren ka ndodhur njëkohësisht me fabrikimin dhe montimin jashtë vendndodhjes. Modulet – apo njësitë rezidenciale, duke përfshirë tavanet, kornizat, muret e brendshme, veshjet, instalimet dhe pajisjet – janë prodhuar në fabrikën e pajisur me makineri autonome, siç janë krahët robotikë për montim të shpejtë, sistematik dhe të automatizuar.

Këto struktura modulare të ngjashme si kuti janë instaluar më pas në terren, ku ngritja zgjati jo më shumë se 30 minuta sipas modulit. Maksimumi prej 15 modulesh instaloheshin çdo ditë; të gjithë 418 modulet janë instaluar plotësisht brenda 71 ditëve. „Është njësoj si ndërtimi LEGO, ashtu që është i shpejtë dhe ka shkallë të lartë përfundimi,“ thotë Lui. „Është ndërtim i njëkohshëm në fabrikë dhe në terren, që kursen kohë. Kursimi i kësaj kohe mund të çojë në kursime monetare.“

Përveç një procesi ndërtimi më të shpejtë dhe me kosto më efektive, MiC zgjidh dhe disa çështje që kanë të bëjnë me ndërtimin tradicional. „Metodat konvencionale të ndërtimit drejtohen nga fuqia punëtore dhe ndikohen lehtësisht nga moti i keq,“ thotë Lui. „Kur është shumë vapë apo shi, ne duhet të ndalojmë punën. Ndërsa në Hong Kong, kemi mungesë të punëtorëve të kualifikuar dhe një fuqi punëtore të plakur, gjë që mund të çojë në ulje të produktivitetit dhe kosto shumë më të larta të ndërtimit.

“ Me MiC, puna mund të vazhdojë pavarësisht nga kushtet e motit, pasi bëhet në një mjedis të brendshëm të kontrollueshëm. Për më tepër, MiC përdor automatizimin, i cili mund të adresojë mungesat e punëtorëve dhe të mundësojë përmirësimin e aftësive. Ndërtuesit mund të kalojnë në më shumë role të bazuara në njohuri dhe teknologji, duke punuar së bashku me makinat.

Megjithëse MiC përdor parafabrikimin, të dy metodat janë të ndryshme dhe secila ka përparësi. Si parafabrikimi, po ashtu dhe MiC-u përfshijnë prodhimin e komponentëve të ndërtimit jashtë kantierit të ndërtimit, por materialet parafabrikate ende kërkojnë mjeshtëri të brendshme ose punë të lidhura me montimin në vend për të bashkuar të gjitha pjesët. Ndërkohë, modulet MiC janë njësi të pavarura, të mbyllura, të cilat përfshijnë të gjitha përfundimet, instalimet dhe pajisjet. Këto module më pas ngrihen, grumbullohen dhe bashkohen së fiksohen me vida për të formuar ndërtesën.

Për sa i përket kohës së montimit në vend, MiC merr rolin kryesor, por kur bëhet fjalë për logjistikën, atëherë parafabrikimi ka avantazhin. „Përbërësit e parafabrikuar janë më kompakt, ashtu që janë shumë më të lehta për t’u transportuar në vëllime të mëdha dhe për të mbajtur inventarin në vend,“ thotë Wong. “Për MiC, është transport vëllimor, ashtu që kërkon më shumë planifikim logjistik, të tillë si qasje JIT (just-in-time). [Autodesk] Civil 3D ndihmon në krijimin e analizes së rrugës së kalueshme, e cila siguron një mjedis ndërtimi të qetë dhe efikas për montim.”

Menaxhimi i mbetjeve është gjithashtu më i mirë me MiC. „Mbetjet mund të kategorizohen më saktë jashtë vendndodhjes dhe mund të menaxhohen në mënyrë më efikase në hapësirë të kontrolluar, të tillë si fabrika, ndërsa jo në vendndodhje që është një mjedis dinamik“, shton Wong.

Prioriteti i sigurisë çon drejt më pak aksidenteve

Siguria është parësore për Hip Hing. „Ndërtimi është i rrezikshëm dhe me rrezik të lartë në krahasim me industritë e tjera, prandaj kultura e sigurisë është ajo që ne kultivojmë”, thotë Lui. „Secili nga inxhinierët tanë ka një mendësi sigurie.”

Për projektin InnoCell, kompania e ndërtimit ka vazhduar përkushtimin e saj ndaj sigurisë duke u partnerizuar me kompaninë start-up, e cila prodhon helmeta inteligjente. Helmetat janë të pajisura me sistemin i cili përdor teknologjinë Internet of Things (IoT) dhe planimetrinë e ndërtesës 3D BIM të krijuar me Autodesk Revit për raportimin e vendndodhjes së punëtorëve në terren dhe gjendjen e tyre shëndetësore në kohë reale.

Hip Hing ka përdorur gjithashtu realitetin virtual (VR) dhe realitetin e shtuar (AR) në trajnimin e sigurisë, duke u ofruar punëtorëve një përvojë trajnimi më tërheqëse dhe gjithëpërfshirëse. „Megjithëse nuk kanë qenë në vend, punëtorët tanë mund të ndiejnë se si është të jesh atje përmes VR dhe AR,“ thotë Lui. “Ata mund të provojnë skenarë të ndryshëm dhe të vizualizojnë se si të pozicionohen kur bëjnë operacione të caktuara.“

Si rezultat i integrimit të këtyre teknologjive në kulturën e parë të sigurisë, Hip Hing ka arritur 600,000 orë pa aksidente gjatë ndërtimit të InnoCell.

Inxhinieria e bazuar në njohuri i kontribuon të gjithëve

Krahasuar me projektet e mëparshme, përdorimi i BIM-it dhe MiC-ut ka çuar drejt një dizajni të detajuar të ngrirë në një fazë më të hershme, si dhe procesi më të shkurtër shpërndarjeje, që do të thoshte se operacionet e ndërtimit mund të fillonin më herët. „Koha fillestare e projektimit dhe kostot janë shumë më të larta në krahasim me projektet tradicionale,“ thotë Lui. „Por auditimet ishin më të pakta dhe kemi dorëzuar më herët. Jemi ende duke gjetur mënyra për të optimizuar procesin.“

Kompania planifikon të adoptojë qasjen e integruar BIM dhe MiC në projektet e ardhshme. Ajo tashmë ka aplikuar për dy objekte karantine të ndërtuara në Hong Kong vitin e kaluar – një me 901 njësi të përfunduara për 89 ditë (një ditë përpara afatit) dhe një tjetër me 120 njësi të përfunduara për 63 ditë (10 ditë përpara), duke mbajtur regjistrimin e dorëzimeve të hershme.

Hip Hing beson se e ardhmja e industrisë së ndërtimit varet nga adoptimi më i gjerë i BIM-it dhe teknikave novatore siç është MiC. „MiC është një proces i shpejtë për industrinë tonë,” thotë Lui. „Është një fazë revolucionare ndërsa kalojmë nga format tradicionale në një mënyrë ndërtimi më të industrializuar.“

Si e tillë, firma po përqafon një model inxhinierik të bazuar në njohuri, duke kapur të mësuarit nga projekte të tilla si InnoCell në një mjedis të përbashkët të njohurive dixhitale të arritshme për të gjithë. Hip Hing ndan sukseset dhe mësimet e nxjerra brenda kompanisë dhe në të gjithë industrinë e ndërtimit.

„Me çdo mundësi vjen dhe përgjegjësia për të ndarë mësimet që keni mësuar,” thotë Lui. „Duam të kontribuojmë me njohuritë tona në mënyrë që të gjithë të mund të punojmë së bashku me industrinë e ndërtimit në një mënyrë më efikase dhe produktive. Nuk duam të bëjmë mirë vetë; gjithashtu duam të jemi një shtytës kryesor në industrinë e ndërtimit të Hong Kongut.”

Artikulli origjinal i marrë nga: Modular Construction Elevates Hong Kong’s InnoCell High Rise (autodesk.com)